prof Intervista monitor

Intervistë për revistën Monitor

Informaliteti i lartë në vend nuk e nxit nevojën për një shërbim cilësor Kontabël

30.3.2019
prof Intervista monitor
Duke nisur nga 1 janari 2019, ndryshime të reja do të vijnë në fushën e kontabilitetit, pas miratimit të ligjit nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Prof. dr. Hysen Çela, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) pohon në një intervistë për Monitor se ka shumë pak biznese që janë në dijeni me ndryshimet e bëra në ligj dhe me obligimet përkatëse për raportim. Ai shton se, me përjashtim të informimit të bizneseve nga konsulentët e tyre, kontabilistët dhe audituesit, nuk janë realizuar aktivitete të tjera informuese apo sensibilizuese në këtë drejtim. “Jemi ende në kohë për të nisur një fushatë sensibilizuese për biznesin dhe për të përgatitur standardet dhe modelet e raportimit, bazuar në standardet përkatëse ndërkombëtare dhe në praktikën më të mirë në këtë fushë. Përveç raportimit financiar për qëllime të përgjithshme, për një numër entitetesh bëhen të detyrueshme të hartohen dhe publikohen: raportet për ecurinë e veprimtarisë, ku entitetet e mëdha dhe me interes publik kërkohen të përfshijnë një raport jo financiar, që ndihmon për një kuptim më të mirë të zhvillimit të entitetit, performancës, pozicionit të tij financiar, për të vlerësuar ndikimin e aktivitetit të biznesit në mjedis, çështjet sociale dhe ato të punësimit, të drejtat e njeriut, korrupsionin, etj., dhe një raport për drejtimin e brendshëm që analizon rregullat/kodet që zbatohen për drejtimin e brendshëm. Kjo kategori e entiteteve kërkohet gjithashtu të përgatitë dhe të publikojë edhe raport për pagesat që ju bëhen institucioneve shtetërore” - shton drejtuesi i IEKA. Z. Çela, nga ana tjetër, flet për një parashikim të shërbimit të konsulencës kontabël apo audit në vitin 2019, duke përmendur këtu nivelin e lartë të ekonomisë informale që pengon që sektori të ketë shërbime më cilësore apo kërkesa në rritje.

Cilat mendoni se mund të jenë disa nga efektet dhe problematikat që lidhen me zbatimin e ligjit të ri për kontabilitetin?

Miratimi i ligjit nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” kishte si qëllim kryesor përafrimin e legjislacionit tonë të raportimit financiar me direktivën e Parlamentit Europian dhe të Këshillit, 2013/34/BE “Mbi pasqyrat financiare vjetore, pasqyrat financiare të konsoliduara dhe raportet përkatëse të llojeve të caktuara të ndërmarrjeve”, në kuadrin e parapërgatitjes së vendit tonë drejt anëtarësimit në BE. Nga këndvështrimi i zbatimit, ende nuk mund të thuhet se njihen efektet, pasi ligji parashikohet të zbatohet duke nisur nga data 1 janar 2019. Megjithatë, nga këndvështrimi i përgatitjes së bizneseve për zbatimin e këtij ligji mund të them, se ka pak sensibilizim dhe njohje të bizneseve me ndryshimet e bëra në ligj dhe me obligimet përkatëse për raportim. Me përjashtim të informimit të bizneseve nga konsulentët e tyre, kontabilistët dhe audituesit, nuk di të jetë bërë ndonjë aktivitet tjetër informues apo sensibilizues në këtë drejtim. Edhe pse IEKA i ka trajtuar ndryshimet ligjore në kuadrin e raportimit financiar në RSH, në sesionet e kualifikimit të vijueshëm profesional të anëtarëve të vet, kjo nuk mjafton, pasi për të garantuar zbatimin në praktikë, duhet që ligji të njihet dhe të kuptohet në tërësinë e tij. Del domosdoshmëri adresimi sa më i shpejtë i kërkesave që parashikohen në këtë ligj. Këtu kam parasysh, jo thjesht sensibilizimin e bizneseve, trajnimin e hartuesve të pasqyrave financiare dhe të raporteve të tjera, por edhe hartimi i standardeve dhe formateve përkatëse të raportimit. Në të kundërt, do të ndodheshim në kushtet e moszbatimit të këtij ligji, duke bërë që përafrimet ligjore me legjislacionin e BE-së të mbeteshin thjesht në letër. Mendoj se në këtë drejtim, përveç Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, që ka rolin kryesor në monitorimin e zbatimit të standardeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar, një rol të madh duhet të luajë IEKA, anëtarët e së cilës shprehin opinion mbi zbatimin e kërkesave ligjore dhe rregullatore dhe për besueshmërinë e raportimit financiar. Një rol jo të vogël kanë edhe organizatat e tjera të profesioneve në fushën kontabël, si dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike, në rolin e tij si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator. Jemi ende në kohë për të nisur një fushatë sensibilizuese për biznesin dhe për të përgatitur standardet dhe modelet e raportimit, bazuar në standardet përkatëse ndërkombëtare dhe në praktikën më të mirë në këtë fushë. Përveç raportimit financiar për qëllime të përgjithshme, për një numër entitetesh bëhen të detyrueshme të hartohen dhe publikohen: raportet për ecurinë e veprimtarisë, ku entitetet e mëdha dhe me interes publik kërkohen të përfshijnë një raport jo financiar, që ndihmon për një kuptim më të mirë të zhvillimit të entitetit, performancës, pozicionit të tij financiar, për të vlerësuar ndikimin e aktivitetit të biznesit në mjedis, çështjet sociale dhe ato të punësimit, të drejtat e njeriut, korrupsionin, etj., dhe një raport për drejtimin e brendshëm që analizon rregullat/kodet që zbatohen për drejtimin e brendshëm. Kjo kategori e entiteteve kërkohet të përgatitë dhe publikojë edhe raport për pagesat që ju bëhen institucioneve shtetërore. 

Megjithëse ende nuk i kemi parë efektet e zbatimit të ligjit të ri për kontabilitetin, a mendoni se ka vend për përmirësime?

Natyrisht, gjithnjë ka nevojë për të bërë përmirësime. Ne jetojmë në një kohë kur gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Megjithatë, për t’i adresuar si duhet nevojat për përmirësime, fillimisht duhet të shihet si zbatohen në praktikë ndryshimet e bëra. Ligji i ri për kontabilitetin, siç e theksova më sipër, parashikon në tërësinë e tij, zgjerim të formateve të raportimit të biznesit, me qëllim rritjen e transparencës. Ai i riklasifikon bizneset dhe shkallëzon në vite klasifikimin, me qëllim që brenda një periudhe dhjetëvjeçare, klasifikimet në Shqipëri të jenë të njëjta me ato të BE-së. Një klasifikim i tillë rrit përgjegjësinë për entitetet e biznesit, jo thjesht për të raportuar, por mbi të gjitha, për më shumë transparencë, e cila potencialisht do të prodhojë më shumë mundësi për financime dhe zgjerim e rritje të bizneseve. Sidoqoftë, përpara se të flasim për përmirësime ligjore në fushën e raportimit financiar, unë mendoj se çështje prioritare është formalizimi dhe lufta ndaj ekonomisë informale. Është kjo e fundit, pra një ekonomi informale e gjithëpërhapur, e cila jo vetëm nuk inkurajon, por përkundrazi stimulon një raportim financiar dhe raporte të tjera të deformuara, të cilat çorientojnë përdoruesit dhe investitorët. Prandaj, për të garantuar qëllimet kryesore të ligjit të ri të kontabilitetit del domosdoshmëri një përfshirje në bllok e disa aktorëve e faktorëve, për të luftuar ekonominë informale. Rrugët janë të shumta, por nuk është vendi për të folur gjatë këtu për këtë çështje. Sidoqoftë, profesioni kontabël ka një rol jo të vogël për të luajtur në luftën ndaj ekonomisë informale, evazionit dhe korrupsionit. Por, që të realizohet kjo, është e nevojshme që aktorët të bashkërendojnë punën midis tyre dhe agjencive të tjera ligjore e rregullatore.

Vitin e shkuar keni shprehur shqetësime lidhur me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”. A vijoni të keni të njëjtin qëndrim?

Meqenëse më duhet të jap përgjigje për një çështje tjetër po kaq sensitive siç është profesioni i ekspertit fiskal, dëshiroj të sqaroj se shqetësimet e mia nuk kanë pasur e nuk kanë të bëjnë aspak me faktin nëse duhet apo nuk duhet një profesion për ekspertët fiskalë. Në parim jam plotësisht dakord për çfarëdo lloj organizimi profesional që garanton cilësi dhe shërbim me interes publik. Një ekonomi moderne karakterizohet nga specializimi i ngushtë, dhe këtu nuk bën përjashtim as specializimi profesional për fushën e taksave e tatimeve apo krijimi i profesionit të ekspertit fiskal. Por, problemi për të cilin unë kam shprehur shqetësim dhe e kam adresuar pranë autoriteteve përkatëse, qëndron tek parcializimi i profesionit me synim krijimin e pozitave monopol për segmente të caktuara të tij, dhe përjashtimin me ligj të aktorëve të tjerë, çështje që nuk i shkojnë aspak për shtat konkurrencës së lirë, tipike për një ekonomi tregu. Për ta thënë më qartë, nuk mundet që shërbimet tatimore të jenë e drejtë apo “domain” vetëm e fiskalistëve, apo shërbimet kontabël vetëm “domain” i kontabilistëve, kur këto mund të kryhen edhe nga profesionistë të tjerë. Zotërimi i njohurive dhe aftësive profesionale mendoj se duhet të jetë kriteri bazë për kryerjen cilësore dhe etike të një shërbimi, i cili nuk ka arsye të jetë i rregulluar dhe monopol vetëm për disa e të mos lejohet për të tjerët. Për më tepër, shërbimet tatimore të pajtueshmërisë (deklarimet për tatimet), të cilat janë përgjegjësi e administrimit të entiteteve të biznesit, sot realizohen online nëpërmjet platformave elektronike. Ato mund të kryhen nga vetë bizneset, por edhe të tretët, lidhja me të cilët po bëhet gjithnjë e më e padukshme. Qe të saktësoj më mirë përgjigjen për pyetjen tuaj, dëshiroj të nënvizoj se nuk jam kundër organizimit sipas fushave të ndryshme profesionale, por jam kundër rezervimit të së drejtës për disa shërbime vetëm te disa kategori të caktuara të profesioneve. Përfshirja e profesionistëve në kryerjen e shërbimeve profesionale është e drejtë e klientit. Ky i fundit do të zgjedhë atë individ apo entitet që i shërben më mirë, dhe kjo varet jo vetëm nga njohuritë, zotësitë dhe përvojat e individëve të caktuar, por edhe nga reputacioni i organizmit profesional ku këta individë janë anëtarësuar.

Mendoni se futja në skemën e TVSH të biznesit të vogël i ka shtuar barrën këtij të fundit?

Mendimin tim për këtë çështje, e kam parashtruar që në fi llim të vitit 2017. Nuk mendoj se biznesit të vogël i shtohet barra po qe se ai futet në skemën e TVSH-së. Barra vërtet shtohet, nëse krahas me futjen në skemë, nuk punohet për formalizimin e biznesit. TVSH duhet të jetë vërtet ashtu siç konceptohet, neutrale, pasi në analizë të fundit, ajo do të paguhet nga konsumatori final. Personalisht jam dakord me qëndrimin e ministrit të Financave se çdo biznes që blen inpute nga shitësit me shumicë, për t’i përpunuar, apo edhe për t’i shitur në tregun me pakicë, duhet të jetë i përfshirë në skemën e TVSh-së, me qëllim që cikli të mbyllet plotësisht. Megjithatë, në kushtet kur ende niveli i ekonomisë informale 

Insert Header

Insert Description